Zhurmë vjeshte
Jashte
Klikoni butonin play ketu sipër dhe eksperienca juaj në leximin e këtij shkrimi ndoshta do të jetë më interesante.
Erdhi vjeshta
Në fakt ka shumë kohe qe ka ardhur po vetëm tani po e ndjej.
Vjesha ka te veçanten e saj - si çdo stine tjeter fundja. Por prape vjeshta është stina më romantike. Stina më artistike dhe e lëshuar. Gjate tre muajve të vjeshtës ndjehem më kreativ se kurre – ndoshta prandaj gjithë projektet e mia artistike fillojnë në vjeshtë. Fatkeqësisht mbarojnë me fillimin e dimrit.
Vjeshta është stinë muzikore. Dhe muzika që luan çdo gjethe e rënë përdhe është tepër e veçantë. është gjithashtu tepër e ulët. Duhet një qetësi absolute për ta ndjere – si kjo e këtyre momenteve.
Çdo gje është aktive në vjeshtë. është aktive aq sa duhet. As më pak as më shumë. Nuk ka shumë eksese.
Kontrasti perfekt i ngjyrave e bën vjeshtën të veçantë. Më të veçantë se pranvera. Sa me fat që jemi që kemi vjeshtë. Imagjinoni pak – vetëm për disa çaste – një botë pa vjeshtë. Ngjan si një botë pa jazz. E thatë si gjethet gjatë vjeshtës.
Portokallia e vjeshtës bashke me lagështirën e ëmbël të natyrës gjatë kësaj stine të bëjnë të përjetosh ndjenja që përjetohen vetëm në vjeshtë. Intense dhe të shkurtra. Te forta dhe te bukura por njekohësisht qetësuese. Edhe aktive me raste. Një bashkepunim perfekt i natyrës për të krijuar dhe frymëzuar njëriun.
E keni menduar ndonjeherë me sa fat që jemi. Çfarë shansi që kemi.
Jetojmë në një botë ama ku shija e vjeshtës po zbehet.
Zhurmë - dhe gjethet nuk degjohen më.
Shpejtësi - dhe pemët nuk shikohen më, nuk shijohen më.
Janë të pakta ditët kur gjethet rrijnë përdhe. Nuk ja lejojmë më të kalojnë fazën e tyre të fundit të jetës – kalbjen – në qetësi. Sapo bien i pastrojmë, i zhdukim nga vëndi që natyra i ka caktuar. Kemi frikë ti mbajmë aty se ndoshta njerëzit frymezohen më tepër se sa ç’duhet dhe harrojne punën e tyre të përditshme Harrojnë detyrimet. Harrojnë shpejtësinë. Nuk dëgjojnë më zhurmën.
Bombardohemi përditë me ndjenja nga vjeshta por kemi krijuar një korracë të ndyrë përreth vetes.
Kemi kaluar fazen kur nuk na lënë ta dëgjojmë vjeshtën – tani i mbyllim veshët vetë. Kemi frikë nga vjeshta. Kemi frikë se ndoshta na bën të realizojmë që nuk duam të jemi këto që jemi. Nuk duam këto që duam. Nuk ndjejmë ato që duam të ndjejmë.
Ama qetësia e vjeshtës është githmonë aty. Pret çastin kur ti hutohesh dhe te sulmon. Te gllaberon. Dhe aty ti humb. Nuk e gjen më veten. Nuk e di më kush je. S’e kupton çfarë qëllimi ke. Duhet të dalësh po nuk do. Tenton po nuk mundohesh aq sa duhet. E ke mundësinë për të dalë nga ajo qetësie e çastit. Mjafton të ndezësh dritën dhe gjithçka përreth teje që tani është e gjallë vdes. Por ti nuk e ndez dritën. Përjeton çastin. E ndjen brënda teje dhe nuk ja lejon vetes që të mbrohesh nga intimiteti jot.
Unë tani duhet të ndez dritën.
Vjeshta të shtyn. Të fryn. Ndiqe!
Kategorizuar në Pa Kategori |
2 Komente »